Kurti dhe Spence diskutojnë thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe OKB-së

07.03.2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, ku diskutuan mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit “askënd mos ta lëmë prapa”, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte rëndësia e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat.

Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale.

Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit, një prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore.