Kurti dhe Prattipati diskutojnë për zgjedhjet dhe formimin e institucioneve

27.02.2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ku diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe procesin e formimit të institucioneve.

Në takim, Kurti dhe Prattipati shkëmbyen pikëpamje mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përmbylljen e procesit zgjedhor dhe hapat e ardhshëm drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.

“Teksa presim përfundimin e numërimit të votave dhe certifikimin e rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryeministri u shpreh se qeveria po vazhdon punën e saj të përditshme në përmbushjen e detyrave e përgjegjësive dhe shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim,” thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e madh dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke falënderuar Prattipati-n për rolin e saj në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.