Kurti dhe ambasadori suedez diskutojnë thellimin e bashkëpunimit dhe investimet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, ku diskutuan mbi mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit, një fokus i veçantë ishte bashkëpunimi me Odën Ekonomike Nordike dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve suedeze në Kosovë. Kryeministri Kurti theksoi potencialin e madh që ofron vendi për investitorët e huaj, duke vënë në pah mundësitë e shumta për zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Përveç bashkëpunimit ekonomik, diskutimet u përqendruan edhe në aktualitetin politik në vend. Kryeministri Kurti informoi ambasadorin Westerlund mbi fillimin e konsultimeve me partitë e komuniteteve joshumicë për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në fund të takimit, Kryeministri Kurti shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.