Kurti: Dënim maksimal për autorët e krimit ndaj Liridonës

05.12.2023

Kryeministri Albin Kurti e ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit të Liridona Ademajt dhe njëherësh dënim maksimal për autorët e këtij krimi makabër. Ai gjatë konferencës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, ka thënë se “zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi, e i drejtë presim të jetë dënimi […]

Kurti: Dënim maksimal për autorët e krimit ndaj Liridonës Foto: Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti e ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit të Liridona Ademajt dhe njëherësh dënim maksimal për autorët e këtij krimi makabër.

Ai gjatë konferencës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, ka thënë se “zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi, e i drejtë presim të jetë dënimi – pra maksimal”.

Kryeministri e ka vlerësuar si akt të drejt rivarrimin e Liridonës në vendlindjen e saj, teksa ka thënë se rastet e rënda si ai i Liridonës “ nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë para dhunës së përhapur gjinore”.

“Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë ligjore, duke ndryshuar dhe plotësuar Kodin e Procedurës penale, duke ashpërsuar masat e për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje. Kemi përmirësuar qasjen në shërbime sociale, duke e ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to. Kujdesi për funksionimin e të gjithë mekanizmave ndërveprues, prej raportimit deri te trajtimi, hetimi, gjykimi, pra te drejtësia përfundimtare është dhe do të jetë prioritet i lartë në qeverinë tonë”, ka theksuar Kurti.

Tutje i pari i ekzekutivit ka thënë se ajo çfarë na duhet tani më së shumti si shoqëri dhe si drejtësi është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv e shumë më efektiv.

“Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë mbi supet e grave e vajzave, as mbi supet e fëmijve e pleqve, as mbi supet e të varfërve e të shtypurve, as mbi supet e personave të sfiduar në çfarëdo rrethane tjetër. Institucionet janë të oibliguara të jenë gjithmonë përkrah atyre që u bëhet ndonjë padrejtësi. Si institucuione e si shoqëri kemi për detyrë të angazhohemi në betejën pë barazi në të drejta. Të punojmë në shenjtërinë e paprekshmërinë e secilit individ, pavarësisht zgjedhjeve që ajo ose ai i bën në jetë. Ne nuk mund të vendopsim për jetën e askujt. Askush, as gruaja, as burri, as vajza e as djali nuk janë pronë e askujt”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se të gjithë njerëzit janë të lirë me të drejta të barabarta dhe se si ekzekutiv besojnë në të drejtat e njeriut, pasi ato e bëjnë bashkë universalitetin dhe barazinë.

“Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi më tej. Është koha e fundit që të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku, ne që mendojmë e diskutojmë së bashku. Cinizmi e sarkazmi u ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Duhet që shkollat publike e private, mediat publike e private, artistët e sportistët, personat që kanë ndikim në shoqëri, të gjithë t’i evitojnë mesazhet e porositë publike apo private, që mund të shihen si nxitëse apo justifikuese të dhunës dhe duhet të bashkohen në fushatën tonë kundër dhunës në bazë gjinore”, ka nënvizuar Kurti.

Ai është shprehur i bundur se me një veprim të përbashkët, me solidaritet të pakushtëzuar, të pakursyer e të parezervë në këtë betejë do ta mposhtin dhunën, diskriminimin e pabarazinë.

“Secila vajzë e grua duhet të ndjehet e sigurt dhe e pacenuar për të jetuar. Vetëm në këtë mënyrë ka kuptim secili funksion që bartim në shoqëri dhe secila pozitë që kemi në institucione”, ka përfunduar kreu i Qeverisë.