Kurti: Bonot e Diasporës mundësi e mirë për të kontribuar në ndërtimin e vendit

14.08.2021

Kanë mbetur edhe pak ditë për të investuar në Bonot e Diasporës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video ka apeluar te bashkatdhetarët që të investojnë në këto bono. Sipas kryeministrit Kurti ky investim është për zhvillimin e shtetit që aq shumë e duan. Po ashtu, ai ka shtuar se gjatë kohës sa diaspora […]

Kurti: Bonot e Diasporës mundësi e mirë për të kontribuar në ndërtimin e vendit Foto: Ilustrim

Kanë mbetur edhe pak ditë për të investuar në Bonot e Diasporës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video ka apeluar te bashkatdhetarët që të investojnë në këto bono.

Sipas kryeministrit Kurti ky investim është për zhvillimin e shtetit që aq shumë e duan.

Po ashtu, ai ka shtuar se gjatë kohës sa diaspora e mban investimin të njëjtit e marrin interesin që i liruar nga tatimi dhe pasi të përfundojë afati i investimit, shuma e investuar iu kthehet e plotë.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës ka theksuar se fondet që investohen në Bonot e Diasporës hynë në buxhetin e shtetit, ku sipas tij me ato fonde do të mbështeten edhe prodhuesit vendor për të rritur kapacitetet e prodhimeve.

“Bonot e diasporës janë një mundësi e mirë për të kontribuar ju në ndërtimin e vendit dhe njëkohësisht të përfitoni nga një investim që është i garantuar nga shteti. Gjatës kohës sa e mbani investimin ju merrni interes që i liruar nga tatimi dhe pasi të përfundojë afati i investimit, shuma e investuar iu kthehet e plotë.

Pra mendojeni si një depozitë të afatizuar në bankë me dallimin e vetëm që kursimet nuk i shfrytëzon banka por shteti për zhvillimin e vendit. Fondet që i investoni në bonot e diasporës hynë në buxhetin e shtetit dhe me ato fonde ne do të mbështesim prodhuesit vendor për të rritur kapacitetet e prodhimeve”, ka thënë Kurti.

Ndryshe afati i fundit për regjistrim në Bonot e Diasporës është deri më 18 gusht.

Kujtojmë se ditë më parë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se ka arritur në rreth 7 milionë euro investimi në Bonot e Diasporës.

Po ashtu Murati tregoi që mërgata po preferon investimin më afatgjatë në vend, pasi që mbi 80% e shumës së investuar është në Bonot 5-vjeçare.