Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

07.10.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 në Kosovë. Deklaratat e tij u bënë të martën, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë.

Sipas Kurtit, veprimet e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si dhe të aktorëve të tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë serbë, përbëjnë ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor të Kosovës.

“Nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë,” tha Kurti, duke përmendur premtimet për vende pune, mbështetje financiare, kushtëzime dhe shantazhe që po bëhen ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, për të mbështetur Listën Serbe.

Kryeministri në detyrë veçoi edhe deklaratat e ish-kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe vetë Vuçiqit, të cilët kanë thënë se “vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë”, si shembuj të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.

Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të reagojë ndaj kësaj situate.

“BE duhet ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë,” përfundoi ai.

Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë tensioni të shtuar në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me sfidat për normalizimin e marrëdhënieve dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale që po afrojnë.