Kundërshtohet paga minimale prej 250 euro, kritikohet Kurti për shkelje të premtimeve

Kundërshtohet paga minimale prej 250 euro, kritikohet Kurti për shkelje të premtimeve
Çlirim Gashi

08.05.2021 / Lajme

Dje Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku edhe u diskutua dhe u miratua programi qeverisës.

Ndërsa, pas mbledhjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka bërë të ditura detaje të programit qeverisës.

Kurti ndër tjerash ka thënë se paga minimale në vendin tonë do të bëhet 250 euro.

Por, premtimet e qeverisë për punësim dhe përmirësim të kushteve në sektorin privat, pak se po besohen.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat po insiston në ngritje të pagës minimale në 350 euro.

Për këtë kurrsesi nuk po pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai thotë se një vit më parë, Kurti kishte thënë diçka tjetër.

“Kryeministri e premtoi një pagë 250 euro, vetëm një premtim sikur premtimi i vitit të kaluar që është pikërisht me 5 mars 2020. Po ky kryeministër premtoi që paga minimale duhet të jetë 350 euro. Dhe e ka thënë decidivisht ku thotë se në ‘në rrogat që marrin në kompanitë private kosovare, nuk mund të paguajnë as faturat e rrymës, ujit dhe kreditë’. Andaj mendon që duhet të jetë 350 euro, vitin e kaluar. Po këta ujë e kemi këtë vit, po këto kredi i kemi këtë vit, po këto paga i kemi këtë vit -170 euro. Dhe në fakt nuk ka asnjë lëvizje. Gjithçka që është një kthim prapa”, deklaron ai.

RAPORTO