Kryeministri Kurti takon ambasadorin gjerman Rohde, diskutojnë për Kuvendin dhe sigurinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe për bashkëpunimin në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ambasadori Rohde u interesua për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që janë në pritje të miratimit. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që ky proces të përmbyllet sa më shpejt përmes zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit dhe përmendi përpjekjet e ndërmarra për tejkalimin e kësaj situate, përfshirë takimet me liderët politikë dhe me presidenten e vendit, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë takimit, Kurti foli edhe për kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, që u regjistrua gjatë fundjavës. Ai tha se institucionet e sigurisë kanë vërtetuar se thirrja kërcënuese është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, në rrjetin e kompanisë telefonike MTS, duke konfirmuar origjinën e kërcënimit.