Kryeministri Kurti bën homazhe në Krushë të Madhe

13.04.2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Përkujtimor të Dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në 26-vjetorin e rënies së tyre heroike.

Kryeministri Kurti bën homazhe në Krushë të Madhe

Gjatë ceremonisë përkujtimore, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve,” u shpreh Kryeministri Kurti.

Ai kujtoi jetën, veprën dhe idealet e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, duke theksuar se ato duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht pozitave dhe rrethanave. “Gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë e këngën e lirisë nuk e ndalim as në paqe e kjo tregon që teksa kemi dhembje e pikëllim, teksa na mungojnë bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, gjaku i të cilëve është në themelet e shtetit tonë, në të njëjtën kohë ne jemi shumë krenar që i patëm dhe që kemi kë ndjekim për rrugën tonë përpara,” shtoi ai.

Kryeministri Kurti vuri në dukje se Dalip Behra dhe Bekim Gashi u frymëzuan nga historia dhe intelektualët e mëdhenj të kombit, duke përmendur në veçanti profesor Ukshin Hotin dhe lidhjen e tij me familjen e dëshmorit Bekim Gashi. “Brezat kur lidhen ata e formojnë historinë, por në të njëjtën kohë edhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica e tyre, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre,” tha ai.

Më tej, Kryeministri Kurti shpjegoi se luftëtarët e UÇK-së kishin dy detyra kryesore: të përballeshin me forcat armike dhe të mbronin popullsinë civile, duke theksuar se jeta dhe rënia heroike e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit mishërojnë të dyja këto detyra. Ai kujtoi se pas varrimit të viktimave të masakrës në Krushë të Madhe, ata vazhduan luftën ballë për ballë me armikun, ku edhe ranë heroikisht.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe obligimin për të forcuar institucionet e sigurisë së Kosovës. “Prandaj teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët… Pikërisht për shkak se [betejat e lavdishme të UÇK-së] janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm,” përfundoi Kryeministri Kurti.

Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe anëtarë të familjeve të dëshmorëve, veteranë të UÇK-së, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe qytetarë të shumtë. Homazhet e sotme shërbejnë si një kujtesë e vazhdueshme për sakrificën e dëshmorëve dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave të lirisë dhe pavarësisë për brezat e ardhshëm.

Etiketat

Ofertat e fundit