Krasniqi pas takimit me Kurtin: I kërkova një figurë të pranueshme për kryetar të Kuvendit

01.05.2025

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit të zhvilluar sot me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se i ka kërkuar këtij të fundit një “figurë të pranueshme” për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi tha se gjatë takimit kanë shkëmbyer “ide dhe diskutime sa i përket konstituimit të Kuvendit”, duke theksuar se PDK nuk i është shmangur asnjëherë dialogut dhe diskutimeve me palët e tjera politike.

“Nuk besoj që ka ndryshuar si situatë, por që ta dinë edhe të tjerët, Partia Demokratike e Kosovës, asnjëherë në të kaluarën e as sot nuk i heziton dialogut edhe diskutimeve me këdo”, u shpreh Krasniqi pas takimit.

Ai theksoi nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit, por paralajmëroi se kandidati për kryetar “nuk mund të imponohet”.

“Edhe z.Kurti i thashë që do të ishte mirë me menduar për kandidatë apo kandidatura të tjera”, shtoi Krasniqi.

Lidhur me postin e nënkryetarëve të Kuvendit, kreu i PDK-së ishte i prerë duke thënë se ato “as që diskutohen”, duke i konsideruar si “çështje të ndara”.

Deklaratat e Krasniqit lënë të kuptohet se pozicioni i PDK-së mbetet i njëjtë, duke mos ofruar mbështetje për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, dhe duke kërkuar një emër tjetër konsensual për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit. Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse ky takim do të sjellë ndonjë përparim drejt zgjidhjes së ngërçit politik.