Kosova përfshihet nga një valë e ftohtë, paralajmërohen reshje bore dhe erëra të forta

20.11.2024

Një masë ajri i ftohtë po lëviz drejt Kosovës, duke sjellë me vete reshje të dendura shiu e bore, si dhe erëra të forta.

Sipas raportimeve, fronti i ftohtë pritet të depërtojë në orët e ardhshme dhe të vazhdojë gjatë natës.

Reshjet më të mëdha të borës parashikohen në Rrafshin e Kosovës, ku trashësia e dëborës mund të arrijë deri në 15 centimetra, veçanërisht në pjesën qendrore-lindore dhe verilindore. Edhe pse në Rrafshin e Dukagjinit gjasat për reshje bore janë më të ulëta, nuk përjashtohet mundësia e reshjeve lokale.

Era do të fryjë me shpejtësi prej 50-80 km/h gjatë natës, duke krijuar kushte të vështira në komunikacion. Gjatë ditës, era do të jetë më e dobët, por do të ndryshojë drejtim dhe shpejtësi.

Temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme, me minimalet që do të lëvizin prej -2 deri në 1°C, ndërsa maksimalet prej 2 deri në 6°C.

Këto kushte atmosferike mund të shkaktojnë vështirësi në komunikacion, prandaj qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimit. Gjithashtu, rekomandohet të përdorin veshje të ngrohta dhe të kenë kujdes nga rënia e degëve të pemëve.