Kosova përballet me një fundjavë të stuhishme: Parashikohen reshje të dendura dhe erëra të forta
Sipas parashikimeve, dita e premte do të karakterizohet nga një mot kryesisht i vranët, me reshje shiu që pritet të fillojnë që në orët e para të mëngjesit.
Foto: Ilustrim
Në fillim, reshjet do të përqendrohen në perëndim dhe jugperëndim të vendit, por më pas do të shtrihen edhe në zonat e tjera. Kjo situatë është rezultat i depërtimit të masave të ngrohta ajrore nga Mesdheu dhe fuqizimit të erërave të forta nga jugu dhe jugperëndimi.
Gjatë pasdites pritet të arrijë një front i fuqishëm atmosferik, i cili do të sjellë reshje të dendura shiu dhe bore. Fillimisht reshjet do të jenë në formë të shiut, por pas kalimit të frontit pritet të shndërrohen në ato të borës. Si pasojë e reshjeve të fuqishme të shiut, lokalisht mund të ketë edhe vërshime, sidomos në zonën perëndimore dhe jugperëndimore.
Reshjet e borës do të intensifikohen gjatë mbrëmjes, duke u përqendruar kryesisht në Rrafshin e Kosovës. Edhe në disa pjesë të Dukagjinit parashikohen reshje bore, megjithëse situata nuk pritet të jetë aq problematike.
Erëra të forta dhe rreziku nga dëmet
Krahas reshjeve, një tjetër faktor shqetësues do të jetë era e fortë. Era do të fryjë nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, ndërsa me ardhjen e frontit të ftohtë do të zhvendoset nga drejtimi i veriut. Shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 90 km/h, e në zonat malore edhe mbi 100 km/h. Këto erëra të forta mund të shkaktojnë dëme materiale, si rrëzim pemësh, dëmtim të linjave elektrike dhe të komunikacionit.
Temperaturat
Temperaturat do të shënojnë një rritje në fillim të ditës, por me ardhjen e frontit të ftohtë do të bien ndjeshëm. Minimalet do të lëvizin prej -3 deri në 0°C, ndërsa maksimalet prej 9 deri në 14°C.