Kosova në qendër të “Defender Europe 2025”, stërvitja më e madhe e SHBA-së
Kosova po shndërrohet në një qendër të rëndësishme bashkëpunimi ushtarak në Ballkan, teksa po zhvillohet ushtrimi më i madh ndërkombëtar, “Defender Europe 2025”, stërvitja vjetore më e madhe e Ushtrisë Amerikane.
Foto: Ilustrim
Zëvendëskryeministri në detyrë i Mbrojtjes, Shemsi Syla, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës si nikoqire e këtij ushtrimi. “Pjesëmarrja e Kosovës si nikoqire e ‘Defender Europe 2025’ është një ngjarje më e rëndësishme gjatë rrugëtimit të forcës sonë ushtarake, nga UÇK në TMK, pastaj në FSK, si dhe tani në ushtrinë e sotshme,” tha ai.
Syla shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë ushtrimin më të madh në Evropë deri më sot, duke përfshirë kapacitete të shumta të shteteve partnere të NATO-s dhe jashtë saj. Ai vuri në dukje se dislokimi i Shtabit të Divizionit të 28-të në Kosovë tregon besimin e SHBA-së ndaj vendit dhe ushtrisë sonë. “Ky ushtrim ka një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në ngritjen tonë morale dhe besueshmërinë që ka SHBA ndaj ushtrisë sonë dhe Kosovës,” u shpreh Syla. Ai beson se kjo do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.
Ish-komandanti i UÇK-së dhe FSK-së, Kadri Kastrati, e cilësoi “Defender Europe 2025” si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe një mesazh të qartë për Serbinë dhe Rusinë, duke pasur parasysh përpjekjet e Serbisë për destabilizim. “Ky ushtrim është besimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Deri këtu kemi ardhur me partnerët tanë, nuk shoh ndonjë problem në këtë ushtrim dhe forca jonë të bashkëveprojë në këtë ushtrim,” tha Kastrati, duke shtuar se Kosova do të jetë fituese.
Shefi i Shtabit në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, Ilir Qeriqi, siguroi se ushtrimi po shkon sipas planifikimit dhe do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të FSK-së, duke operuar edhe në vende të tjera të përfshira në ushtrim. “Qëllimi është që të testohen kapacitetet dhe performanca e FSK-së dhe çdo gjë po shkon sipas planifikimit,” tha Qeriqi.
“Defender Europe 2025” është stërvitja më e madhe vjetore e Ushtrisë Amerikane, me rreth 180 personel nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane të Pensilvanisë të dislokuar në Kosovë për të marrë pjesë në “Reagimin e Menjëhershëm 25” së bashku me FSK-në. Ky ushtrim, i planifikuar nga 26 maji deri më 9 qershor, përfshin mbi 12,000 trupa nga SHBA-ja, aleatët dhe vendet partnere në tetë vende të Ballkanit dhe Evropës Lindore. Në Kosovë, FSK dhe Divizioni i 28-të do të marrin pjesë në stërvitje të ndryshme, duke përfshirë edhe një stërvitje kombëtare në Zonën e Trajnimit Babaj Bokes më 3 qershor.