Kosova nderon Epopën e UÇK-së: Ceremonia madhështore e FSK-së dhe aktivitete të shumta përkujtimore

05.03.2025

Në prag të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet e vendit kanë përgatitur një sërë aktivitetesh për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme historike.

Kulmi i ceremonive do të jetë rreshtimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku do të marrin pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti. Ceremonia do të zhvillohet nesër, më 5 mars, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.

Më herët gjatë ditës, në orën 10:00, Qeveria e Kosovës do të mbajë një mbledhje solemne në ndërtesën e qeverisë, për të shënuar 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së. Gjithashtu, kuvendet komunale të Kosovës do të mbajnë seanca solemne, ndërsa në shkollat e vendit, ora e parë mësimore do t’i kushtohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Aktivitetet përkujtimore do të vazhdojnë edhe më 6 mars, me homazhe në Prekaz nga krerët e shtetit dhe institucioneve, si dhe me një akademi përkujtimore në Prishtinë.

Epopeja e UÇK-së do të përmbyllet si zakonisht më 7 mars, me “Natën e Zjarreve” në Prekaz dhe me një program artistik në Skenderaj.