“Kosova është histori suksesi”, ShBA-të dhe Gjermania shprehen krenare me të arriturat e Kosovës 25 vjet pas çlirimit

12.06.2024

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe ai gjerman Jorn Rohde kanë uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit, derisa kanë theksuar se Kosova është histori suksesi.

“Kosova është histori suksesi”, ShBA-të dhe Gjermania shprehen krenare me të arriturat e Kosovës 25 vjet pas çlirimit Foto: Ilustrim

Hovenier ka theksuar se ajo çfarë ka arritur Kosova në 25 vjet pas çlirimit të është e jashtëzakonshme, derisa ka thënë se është krenar për partneritetin mes ShBA-ve dhe Kosovës.

“25 vjet më parë, forcat e NATO-s mbërritën në Kosovë. Lidershipi i SHBA-së luajti rol jetik për të mundësuar këtë, meqenëse ne, së bashku me aleatët tanë, i dhamë fund njëherë e përgjithmonë fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit kreu këtu në Kosovë. Siç tha presidenti Clinton atëherë, po e citoj: ‘Gjatë katër muajve të fundit, kemi parë disa nga aktet më çnjerëzore të jetës sonë. Por, gjithashtu kemi parë trimërinë e trupave tanë, vendosmërinë e demokracisë sonë, mirësinë e popullit tonë dhe guximin e qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës. Falë të gjitha këtyre veçorive, ne kemi tash një moment shprese dhe duhet të përfundojmë punën dhe të ndërtojmë paqen’”, ka thënë Hovenier në një video-mesazh për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Hovenier ka garantuar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.

“Porosia e presidentit Clinton është po aq e rëndësishme sot sa ishte 25 vjet më parë. Tani, 25 vjet më vonë, jemi krenarë për gjithçka që keni arritur. Ju keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumëetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. SHBA-ja është krenare që është partnere e juaj ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm. Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë”, ka thënë tutje Hovenier në mesazhin e tij.

E ambasadori gjerman, Rohde në “X” ka shkruar se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës.

“Sot para 25 vitesh filloi misioni i KFOR-it të NATO-s. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson: ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve’. Misioni u krye. Kosova deklaroi Pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të afërt të Kosovës”, ka shkruar ai.