Kompensimi i orëve të humbura në arsim, MASHTI dhe SBASHK-u sërish me mospajtime

05.10.2022

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kishte ndërprerë grevën në fundjavën që lamë pas dhe të hënën e 3 tetorit filloi viti i ri shkollor, por megjithatë kanë lindur sërish mospajtime mes kësaj sindikate dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Mospajtimet mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t tashmë janë lidhur me […]

Kompensimi i orëve të humbura në arsim, MASHTI dhe SBASHK-u sërish me mospajtime Foto: Ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kishte ndërprerë grevën në fundjavën që lamë pas dhe të hënën e 3 tetorit filloi viti i ri shkollor, por megjithatë kanë lindur sërish mospajtime mes kësaj sindikate dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Mospajtimet mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t tashmë janë lidhur me kërkesën e kësaj të fundit për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës pesëjavëshe.

Gjatë ditës së djeshme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se kanë nxjerrë vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, ku sipas këtij ndryshimi i bie që ditët e humbura si shkak i grevës do të kompensohen të shtunave deri në janar të 2023’s.

Ky kompensim sipas vendimit të MASHTI-t do të nisë nga 15 tetori 2022, e do të vazhdojë deri më 14 janar 2023.

Ndërkaq, ndryshim ka pësuar edhe përfundimi i gjysmëvjetorit të parë, ku me këtë vendim ky gjysmëvjetor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë me datën 27 janar 2023, kurse pushimi fillon me 30 janar dhe përfundon me 3 shkurt 2023.

Ndërkaq, gjysmë vjetori i dytë do të fillon me datë 6 shkurt 2023, po ashtu në pesë ditët e planifikuara të pushimit pranveror do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

“Tetë ditë të mësimit të pa mbajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim:

-Në muajin tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;

-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;

-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;

-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023”.

Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim:

Për klasën e 12-të (maturantë) përfundon më datë 05.06.2023;

-Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023;

-Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023”, ka shkruar Nagavci.

Por me këtë nuk janë pajtuar nga Sindikata e Arsimit.

Zenun Nimani nga SBASHK-u ka thënë se në bazë të kontratës kolektive, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen.

Ai në një prononcim në RTV Dukagjini ka thënë se SBASHK-u tashmë është duke bërë një planifikim për kompensimin e njësive të humbura mësimore.

“Jemi duke bërë planifikimin që brenda orëve të rregullta, të fuzionohen njësitet e humbura mësimore ku ka mundësi në mënyrë që deri në fund të vitit të arrihet deri diku plan programi mësimor”, ka deklaruar zyrtari i SBASHK-ut.

Nimani ka thënë se ka qenë e pritshme një lëvizje taktike e tillë për zëvendësimin e orëve mësimore nga Ministria e Arsimit qysh në ditën kur nuk kanë dalë pagat.

Megjithatë sqaron se opsion mbetet bashkimi i njësiteve mësimore, apo zhvillimi i tyre gjatë orëve të planifikuara për përsëritje.

“Pra mundësia është ri planifikimi i orëve mësimore në mënyrë që njësitet e humbura mësimore të barten aty ku ka mundësi dhe të bëhen nga dy, apo gjatë përsëritjeve”.