Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, viziton SHBA-në
Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka përmbyllur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u prit nga Komandanti i Qendrës së Trajnimit të Përbashkët për Gatishmëri (JRTC), Gjeneral Brigade Jason A. Curl.
FSK njofton se gjatë vizitës, Gjeneral Jashari takoi edhe pjesëtarët e rotacionit të trajnimit 25-08 për gatishmëri dhe dislokim në Fort Johnson, Luiziana. Komandanti i JRTC, Gjeneral Curl, informoi Gjeneral Jasharin për performancën e lartë të trupave të FSK-së në krahasim me trupat partnere amerikane. Ai theksoi vlerësimet pozitive nga stafi i qendrës për përgatitjen e trajnimit dhe dislokimin e këtij rotacioni.
Nga ana e tij, Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneral Brigade Curl për mbështetjen e ofruar në trajnimin e trupave të FSK-së dhe vlerësoi nivelin e lartë të trajnimit që ofron kjo qendër. Ai gjithashtu vizitoi poligonet dhe hapësirat e ndryshme të trajnimeve, ku u njoh nga afër me mundësitë dhe kapacitetet që ofron JRTC për trajnimin dhe përgatitjen e trupave për gatishmëri dhe dislokim.
Kjo vizitë thekson thellimin e bashkëpunimit mes FSK-së dhe forcave amerikane, si dhe përkushtimin për rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.