KKZ Suharekë përgatitet për raundin e dytë të zgjedhjeve: Trajnohen anëtarët e këshillave të vendvotimeve

03.11.2025

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Suharekë është në fazën përmbyllëse të trajnimeve për anëtarët e këshillave të vendvotimeve, në kuadër të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Sipas njoftimit nga KKZ Suharekë, qëllimi i këtyre trajnimeve është sigurimi i një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe efikas, duke u siguruar që të gjitha procedurat zgjedhore të respektohen në përpikëri në ditën e votimit.

Trajnimet po zhvillohen në përputhje me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfshijnë elemente si menaxhimi i vendvotimeve, procedurat e verifikimit të votuesve, numërimi i votave dhe raportimi i rezultateve.

Zyrtarë të KKZ-së kanë theksuar se të gjitha përgatitjet po ecin sipas planit dhe se janë duke u marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një proces të qetë dhe demokratik në të gjitha vendvotimet e komunës së Suharekës.