“Kërcënimi i SBASHK-ut me grevë është i padrejtë ndaj fëmijëve”

28.03.2022

Greva për mos plotësimin e një kërkese të tillë si ligji i pagave nga SBASHK-u kishin paralajmëruar edhe disa muaj më heret, por që i kishin dhënë afate Qeverisë së Kosovës. Drejtues të kësaj sindikate kanë theksuar se nga ana e Qeverisë nuk ka gatishmëri për të diskutuar me ta lidhur me kërkesat e tyre. […]

“Kërcënimi i SBASHK-ut me grevë është i padrejtë ndaj fëmijëve” Foto: Ilustrim

Greva për mos plotësimin e një kërkese të tillë si ligji i pagave nga SBASHK-u kishin paralajmëruar edhe disa muaj më heret, por që i kishin dhënë afate Qeverisë së Kosovës.

Drejtues të kësaj sindikate kanë theksuar se nga ana e Qeverisë nuk ka gatishmëri për të diskutuar me ta lidhur me kërkesat e tyre.

Në mënyrë që të evitohet greva, njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se sindikata në fjalë duhet që t’i shterojë të gjitha mundësitë.

Pas një kohë të gjatë dhe kërkesave të shumta nga sindikatat, Qeveria ende nuk e ka bërë publik versionin final të Ligjit për Paga.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari tha se pas kongresit të Sindikatës se Arsimit, i cili pritet të mbahet me 2 prill, i tërë sistemi arsimor rrezikohet të shkojë në grevë. E kjo situatë mund të vijë si pasojë e mos gatishmërisë se qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të sindikatës dhe mos publikimin e versionit final për Ligjin e Pagave.

Rinor Qehaja, nga instituti “Edguard”, e ka cilësuar si “kërcënim”, paralajmërimin për grevë në sistemin arsimor nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Sipas tij, ky veprim në këtë kohë është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve, në rend të parë.

“Greva është mjet i ligjshëm sindikal, mirëpo kërcënimi me grevë në ndërprerje të procesit mësimor, në këtë kohë pas më se dy vite të një mësimi të cunguar në pandemi është i papranueshëm dhe i padrejtë ndaj fëmijëve pikë së pari. Shpresoj shume qe SBASHK të shqyrtoj mjete tjera sindikale, mirëpo jo të ndërpres procesin mësimor”, deklaroi Qehaja.

Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut theksoi se pas vonesave të shumta që janë duke ndodhur në Ligjin e Pagave dhe rritjes se çmimeve, sindikata ka kërkuar nga Qeveria që të ndahen nga 100 euro për punëtorët arsimorë deri në zbatimin e ligjit, por as kjo nuk ka ndodhur.