Katër shtatzëna me Covid-19 në Gjinekologji, ftohen tjerat të vaksinohen

15.08.2021

Vetëm gjatë kësaj jave në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, trajtim spitalor kanë kërkuar katër shtatzëna, njëra prej tyre vazhdon të jetë me oksigjenoterapi.  Shtimi i infektimeve me koronavirus në Kosovë, ka rritur edhe kërkesat për hospitalizim të grave shtatzëna.  Drejtor i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismajli derisa thotë se gjendja e këtyre […]

Katër shtatzëna me Covid-19 në Gjinekologji, ftohen tjerat të vaksinohen Foto: Ilustrim

Vetëm gjatë kësaj jave në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, trajtim spitalor kanë kërkuar katër shtatzëna, njëra prej tyre vazhdon të jetë me oksigjenoterapi. 

Shtimi i infektimeve me koronavirus në Kosovë, ka rritur edhe kërkesat për hospitalizim të grave shtatzëna. 

Drejtor i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismajli derisa thotë se gjendja e këtyre grave të prekura me COVID-19 është stabile, beson që shtretërit e ndarë në repart të veçantë për të prekurit me koronavirus janë të mjaftueshëm. 

“Me shtimin e numrit të pacientëve të cilët janë infektuar me COVID, normalisht që rritet edhe numri i shtatzënave që atakohen me këtë infeksion. Për momentin kemi katër shtatzëna të hospitalizuar në repartin për COVID, njëra prej tyre ka lindur dje, ka lindje normale i kemi edhe tri shtatzëna ku njëra prej tyre është me oksigjeno-terapi. Gjendja e tyre në përgjithësi është stabile…Në repartin e dedikuar për përfundimin e lindjeve dhe për përcjelljen e shtatzënive të pacientëve të atakuar me COVID, i kemi 20 shtretër e kemi sallën e lindjes dhe operacionit, besoj që është e mjaftueshme për ta menaxhuar këtë situatë”, theksoi Ismajli. 

Sipas tij, shtatzënat e infektuara janë shtatzënë për herë të parë dhe i takojnë moshës nga 20 deri në 30 vjeçare. 

“Ne nuk kemi pasur të renda, në përjashtim të njërës që dje është pranuar, është me oksigjeno-terapi po shihet që po i atakon edhe moshat e reja sepse të gjitha shtatzënat të cilat janë të atakuar janë të moshës së re nga mosha 20 deri 30 janë shtatzënitë e para”, u shpreh ai për RTK. 

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli thotë se edhe nënat gjidhënëse por edhe ato shtatzënë rekomandohet të vaksinohen, pasi më rrezik është COVID-19 sesa vaksina.