Kapja e kokainës prej 2.2 ton, Sveçla: Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve

Kapja e kokainës prej 2.2 ton, Sveçla: Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve
Çlirim Gashi

17.05.2021 / Lajme

2 ton e 200 kg kokainë janë sekuestruar sot në Kosovë.

Operacioni u krye në bashkëpunim me policinë shqiptare, kosovare dhe atë italiane.

Mësohet se për rastin në fjalë po hetohet prej më shumë se dy muajsh ndërsa sasia e madhe e lëndës narkotike që vjen nga Brazili, është futur në Durrës para 15 ditësh dhe ka qenë në vëzhgim nga policia.

Sasia e sekuestruar e kokainës kap vlerën e 6 miliard eurove.

Pas këtij aksioni ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri Sveçla ka thënë se Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve.

“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë”.

“Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre”.

“Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pa kompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”.

“Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”.

Ndryshe, autoritetet shqiptare kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryheshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.

Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës.

RAPORTO