Jashari viziton trupat e FSK-së në SHBA: “Forcë profesionale, e gatshme për misione ndërkombëtare”
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar trupat e FSK-së që po marrin pjesë në trajnim në Joint Readiness Training Center (JRTC) në Louisiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita u realizua me rastin e Ditës së Vizitorëve të Shquar (DV Day), ku gjenerallejtënant Jashari pati mundësinë të takojë dhe të mbështesë nga afër pjesëtarët e FSK-së, të cilët janë duke u trajnuar për gatishmëri dhe dislokim operacional në një ambient shumëkombësh, në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Jashari vlerësoi lart përkushtimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, duke theksuar se përmes këtij trajnimi po realizohet synimi për krijimin e një force profesionale, të ndërveprueshme me aleatët dhe të gatshme për misione ndërkombëtare.
“Kam nderin të ju drejtohem sot si Komandanti i FSK-së, ju dhe partnerëve të Gardës Kombëtare të Ajovës, me të cilët kemi krijuar një partneritet të fuqishëm për më shumë se një dekadë, që ka kulmuar me përgatitjet për bashkëzbarkim në Lindjen e Mesme,” ka shkruar Jashari.
Ai shtoi se ky sukses është rezultat i përkushtimit të pjesëtarëve të FSK-së dhe i mbështetjes së vazhdueshme nga Garda Kombëtare e Ajovës, të udhëhequr nga Gjeneral Major Stephen Osborn.
Gjenerallejtënant Jashari gjithashtu ka falënderuar personelin e qendrës trajnuese të JRTC-së, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij procesi të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të FSK-së.
“Pjesëmarrja e FSK-së për herë të parë në një qendër trajnuese të këtij niveli është një arritje e jashtëzakonshme për forcën tonë. Uroj suksese për pjesëtarët tanë në këtë mision fisnik dhe ritheksoj përkushtimin tim për t’iu ofruar mbështetje të pakushtëzuar,” përfundoi Jashari.
Kjo pjesëmarrje në JRTC përbën një moment historik për FSK-në, duke forcuar rolin e saj në sigurinë globale dhe duke e afruar më shumë me standardet e NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë.