Irani i kundërpërgjigjet Donald Trump: Hapja e Ngushticës së Hormuzit vetëm me dëmshpërblim
Tensionet mes Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur ndjeshëm pas deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi pasoja të rënda nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Në reagim, një zyrtar i lartë iranian, Seyyed Mehdi Tabatabaei, bëri të ditur se Teherani nuk do të lejojë kalimin e lirë në këtë pikë strategjike pa përmbushjen e kushteve të caktuara.
Sipas tij, rihapja e ngushticës do të ndodhë vetëm pasi Irani të kompensohet për dëmet e luftës, përmes një mekanizmi të ri ligjor që përfshin tarifa tranziti.
Tabatabaei reagoi ashpër edhe ndaj deklaratave të Trump, duke i cilësuar ato si “fyese dhe pa kuptim”, ndërsa shtoi se retorika e presidentit amerikan reflekton “dëshpërim dhe zemërim”.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, mbetet në qendër të përplasjeve gjeopolitike, ndërsa çdo përshkallëzim i situatës rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe stabilitetin rajonal.
