Invalidët e luftës do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara
Në Kosovë kanë nisur ekzaminimet mjekësore për invalidët e luftës, si pjesë e një projekti që synon pajisjen e tyre me proteza ortopedike të avancuara dhe ofrimin e trajtimit të specializuar mjekësor.
Kjo nismë është ndërmarrë me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development, në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit.
Sipas njoftimit nga Presidenca, projekti synon të ofrojë ndihmë konkrete për ata që kanë pësuar dëmtime trupore gjatë luftës në Kosovë, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre përmes kujdesit mjekësor të specializuar.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje ndaj Katarit për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral dhe shtetëror. Ajo e ka cilësuar këtë nismë si një formë konkrete falënderimi për ata që, siç thuhet në njoftim, “kanë bërë sakrificën më të dhimbshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.
Gjithashtu, në komunikatën e publikuar nga Presidenca theksohet se kjo iniciativë përforcon marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, duke u vlerësuar si një shembull i solidaritetit ndërkombëtar në veprim.
Projekti është në fazën fillestare të zbatimit dhe pritet të përfshijë numër të konsiderueshëm të invalidëve të luftës që kanë nevojë për pajisje ortopedike dhe trajtim shëndetësor të përshtatur me nevojat e tyre.