IKSHPK: Në testimin e fundit mbi 70 për qind e mostrave ishin me variantin Omicron

13.01.2022

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, nga institucionet shtetërore e shëndetësore u konfirmuar ardhja e variantit të ri të COVID-19 në Kosovë, i quajtur Omicron. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ditë më parë ka shprehur shqetësimin e saj se situata me COVID-19 në vend mund të përkeqësohet edhe më […]

IKSHPK: Në testimin e fundit mbi 70 për qind e mostrave ishin me variantin Omicron Foto: Ilustrim

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, nga institucionet shtetërore e shëndetësore u konfirmuar ardhja e variantit të ri të COVID-19 në Kosovë, i quajtur Omicron.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ditë më parë ka shprehur shqetësimin e saj se situata me COVID-19 në vend mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Ndërkaq, mbi 70 për qind e mostrave të testuara për Omicron në Kosovë, në testimet e fundit të bëra më 5 janar të këtij viti rezultuan pozitive me këtë variant.

Nga 34 mostra pozitive me COVID-19, në testimin e fundit të bërë më 5 janar 2022, 24 mostra apo 70% kishin rezultat me variantin e ri të këtij virusi, pra me Omicron, kjo sipas të dhënave të IKSHPK-së.

Deri më tani në Kosovë tri herë ka pasur testime për variantin Omicron, ndërkaq numri i rasteve me këtë variant sipas këtyre të dhënave po rritet.

“Më datë 26.12.2021 janë testuar 23 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 8 (34.7%)  me variantin Omicron.

Më datë 31.12.2021 janë testuar 30 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 10 (33.3%) me variantin Omicron.

Më datë 05.01.2021 janë testuar 34 mostra pozitive në SARS-CoV-2,​ prej të cilave ishin 24 (70.5%) me variantin Omicron”, kanë bërë të ditur nga IKSHPK-ja për Telegrafin.

Ministria e Shëndetësisë është duke konsideruar rishikimin e masave antiCOVID, kjo pas rritjes së rasteve me coronavirus që është duke vazhduar tash e disa ditë në vendin tonë.