IKSHPK: Grumbullimi pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit

IKSHPK: Grumbullimi pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 4 mijë e 371 persona, prej të cilëve 873 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore janë raportuar edhe raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Skënderaj 3 raste (83, 74, 69 vjeç), Prishtinë 2 raste (85, 70 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Klinë 1 rast (62 vjeç), Lipjan 1 rast (69 vjeç), Pejë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (36 vjeç), Suharekë 1 rast (63 vjeç).

IKSHPK ka shprehur shqetësimin se gjatë ditëve në vazhdim mund të ketë rritje të rasteve me COVID-19 në vendin tonë.

Po ashtu përmes një njoftimi ky institucion ka njoftuar se mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

Ndër të tjerash ka përsëritur thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

IKSHPK rekomandon:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Po ashtu ky institucion ka apeluar tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

RAPORTO