IHK: Nga nesër ndryshime të motit, në fundjavë priten reshje bore
Eksperti Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dhënë një përditësim për kushtet atmosferike që do të mbizotërojnë në ditët në vijim, duke paralajmëruar ndryshime të mëdha të motit.
Sipas Aliut, mjegulla e dendur që ka përfshirë shumë zona të Kosovës është rezultat i temperaturave të larta të ditëve të fundit, të cilat kanë nxitur avullime të mëdha dhe kondensim në ajër. Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e kujdesit të shtuar nga pjesëmarrësit në komunikacion.
“Rrugët janë të rrëshqitshme për shkak të lagështisë dhe ngricave, ndaj kërkohet vëmendje maksimale,” ka paralajmëruar Aliu.
Sipas Aliut, nesër do të fillojë një ndryshim i plotë i kushteve atmosferike. “Fillimisht do të kemi reshje shiu, të cilat, me rënien e temperaturave, do të shndërrohen në reshje bore,” ka deklaruar ai.
Nga e premta vonë, reshjet do të bëhen më të qëndrueshme, duke i hapur rrugë kushteve tipike të dimrit. “Nga e shtuna deri në fund të javës, në të gjithë Kosovën do të mbizotërojnë reshjet e borës,” ka shtuar Aliu.
Përveç rënies së temperaturave dhe reshjeve të dendura, Aliu ka theksuar nevojën për kujdes të veçantë në udhëtime dhe përgatitje për kushtet e vështira dimërore.