“Ia kanë gjetur kartelën e veteranit në xhep”, OVL konfirmon arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Serbia
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet në Serbi kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.
Sipas Sylës, Qenaj – ish-anëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë kalimit në territorin serb, ndërsa dyshohet se organet e sigurisë serbe i kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit. Ai ka shtuar se Qenaj kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa asnjë problem.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”. Autoritetet serbe deklarojnë se Qenaj iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill të vitit 1998 dhe mori pjesë në luftimet e vitit 1999 në Koshare, si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”.
I ndaluari ka marrë masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa MPB e Serbisë ka njoftuar se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Rastet e arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në Serbi janë rritur vitet e fundit, me pretendime të përsëritura të Beogradit për krime lufte të kryera nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Në korrik të këtij viti, Serbia arrestoi edhe Lulzim Halilin, megjithëse OVL-UÇK deklaroi se ai nuk figuron në listat e veteranëve apo pjesëmarrësve të betejës së Koshares.
Beteja e Koshares mbetet një nga përplasjet më të rëndësishme të luftës së 1999-s, me humbje të konsiderueshme në të dyja palët dhe me domethënie të thellë historike për Kosovën dhe Serbinë.