Hoxhaj: PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar

21.06.2021

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë. Sipas njoftimit, këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas […]

Hoxhaj: PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar Foto: Ilustrim

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë.

Sipas njoftimit, këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Kryesia ka udhëzuar organet e partisë për fillimin e menjëhershëm të përgatitjeve për organizimin e Konventës zgjedhore të partisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në lidhje me mbajtjen e Konventes për zgjedhjen e kryetarit të partisë ka folur edhe u.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai ka shkruar se mohimi i padrejtë që PDK të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, solli një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë.

“Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen”, ka shkruar Enver Hoxhaj në rrjetin social “Facebook”.

Po ashtu ai ka shkruar se PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

Shkrimi i plotë i u.d i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj:

Të dashur anëtarë të PDK-së,

Pas një debati të gjatë në të gjitha nivelet e partisë, sot edhe përfundimisht Kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të shtunën, me 3 korrik.

Mohimi i padrejtë që PDK të ketë në gjirin e saj Kadri Veselin, pas aktakuzave të pabaza ndaj tij, solli një situatë sa të rëndë emocionale, aq edhe të vështirë në ecjen e partisë.

Në këto 8 muaj të udhëheqjes së partisë si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit, kam takuar dhjetëra e qindra aktivistë, themelues, qytetarë e struktura nëpër të gjithë Kosovën. Kam dëgjuar me vëmendje e kërshëri secilin opinion e propozim për rrugën që duhet të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.

Prandaj, si partia më e madhe opozitare në vend, partia më e rëndësishme në Kosovë në 21 vitet e fundit, parti e dalë nga lufta për çlirim dhe e cila luajti rolin kryesor në pavarësimin e vendit, e kemi për obligim dhe detyrë ndaj partisë dhe aktivistëve, ndaj qytetarëve dhe shtetit, që t’i japim fund status-quos dhe të hapim debatin e brendshëm për rrugën përpara.

Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar dhe krahas saj duhet që të ndryshojë edhe PDK-ja, pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi.

Duke u ndjerë dhe sjellë me krenari për të kaluarën tonë të lavdishme politike e shtetndërtuese dhe për punën e themeluesve e kryetarëve të saj, miqve të mi me të cilët kemi rrugëtuar bashkë në këto 30 vitet e fundit, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, PDK-ja do ta rigjejë përsëri rrugën deri te besimi qytetar.

Faleminderit! Na priftë e mbara!