Hoxhaj: Kosovës i hapet një mundësi e re pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit

para 33 dite

Ish-ministri i Jashtëm, nënkryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka komentuar situatën pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, ku sipas tij, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin ndaj pavarësisë së saj.

Hoxhaj: Kosovës i hapet një mundësi e re pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit

Në një analizë të situatës në Lindjen e Mesme, Hoxhaj ka theksuar se Siria, Libani dhe Iraku po largohen nga orbita e ndikimit iranian, falë politikës së mençur të Turqisë dhe Izraelit. Ai beson se këto ndryshime krijojnë një terren të favorshëm për avancimin e interesave të Kosovës në këto vende, të cilat deri tani kanë pasur qëndrime kundërshtuese ndaj shtetësisë së saj.

“Sot, Lindja e Mesme po kalon një nga momentet më të rëndësishme në dekada. Me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin e Iranit ndaj pavarësisë së saj, në vende si Siria, Libani dhe Iraku, të cilat po dalin nga orbita e ndikimit iranian, falë politikës së mençur të Turqisë dhe Izraelit,” ka shkruar Hoxhaj në një deklaratë publike.

Megjithatë, Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e një strategjie të qartë lidhur me këto zhvillime. Ai ka theksuar se Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë dhe të shfrytëzojë këtë moment për të arritur njohje nga Libani dhe Iraku.

“Diplomacia e Kosovës duhet të dalë nga moratoriumi i vetë-imponuar ndaj njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës,” ka shtuar ai, duke kërkuar një rol më aktiv nga institucionet kosovare në këtë drejtim.

Hoxhaj e ka cilësuar këtë si një mundësi unike për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, sidomos në një rajon ku Serbia ka pasur lidhje të ngushta me regjimin e Assadit.

Etiketat

Ofertat e fundit