Enver Hoxhaj zgjidhet kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvend
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është zgjedhur kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Kosovës.
Hoxhaj rikthehet në fushën e arsimit pas përvojës si ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, detyrë të cilën e mbajti nga janari i vitit 2008 deri në shkurt të vitit 2011.
Gjatë mandatit të tij në MASHT, ndër politikat e ndërmarra ishte shpërndarja e teksteve shkollore falas për nxënësit. Në vitin 2008, tekstet u siguruan falas për rreth 200 mijë nxënës të klasave të para deri në të pesta, ndërsa më pas kjo politikë u zgjerua edhe për klasat deri në të nëntën.
Në atë periudhë u ndërmorën gjithashtu reforma në sistemin e pagave për mësimdhënësit, nisën proceset për hartimin e kurrikulës së re, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe rishikimin e planprogrameve.
Po ashtu, u pilotua mësimi i gjuhës angleze nga klasa e parë dhe u realizuan investime në ndërtimin, renovimin dhe pajisjen e shkollave me teknologji informative.
Tash, Hoxhaj do të udhëheqë Komisionin Parlamentar për Arsim, i cili trajton çështje që lidhen me legjislacionin dhe politikat në sektorin e arsimit në Kosovë.
