Haziri: Sot dhanë dorëheqje kryetari dhe kryesia e LDK-së

Pas dorëheqjes së liderit të LDK-së, Isa Mustafa, si pasojë humbjes së thellë në zgjedhjet e djeshme, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri ka thënë se është hapur rruga për mobilizimin politik dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë parti.

“Dorëheqja e kryetarit të LDK-së dhe Kryesisë, hap rrugë që të ftohet Kuvendi i LDK-së dhe zgjidhet kryetari e Kryesia e re në nivel vendi. Si asnjëherë më parë në historinë e LDK-së nuk ka ndodhur që kryetari, nënkryetari, sekretari dhe kryesia të japin dorëheqje për shkak të rezultatit zgjedhor.

Kjo është arritur sot pas aktit të tërheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit dhe nga tash është hapur rruga për mobilizimin politik dhe zgjedhje të jashtëzakonshme të LDK-së”, ka thënë Haziri, në një prononcim për Mediafokus.info, duke shtuar se njësoj do të veprohet edhe në Gjilan.

“Po ashtu, edhe ne në Gjilan nga sot do të veprojmë njëjtë. Debati i brendshëm do të përcillet me largimin e dobësive tona që shkaktuan pakënaqësi te qytetarët dhe votuesit”, ka thënë Haziri.

Haziri ka treguar se si do të veprohet për t’i bashkuar, siç tha ai, të gjitha pjesët e LDK-së

“Ne duhet të merremi mërgatën tonë, familjen tonë politike, pakënaqësitë tona të brendshme, pa u ndikuar nga ata që dëshirojnë Rugovimin ta dërgojnë në histori. LDK duhet të vazhdojë t’i bashkojë të gjitha pjesët e saj, brenda e jashtë, për rikthimin e madh. Të kontribuoj në stabilitetin e vendit dhe mirëqenien e Republikës”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, derisa ka uruar VV-në dhe Vjosa Osmanin për suksesin në këto zgjedhje.

Dorëheqja e Isa Mustafës ishte paralajmëruar nga ky i fundit në një mbledhje të Kryesisë, derisa mësohet se është pikërisht Lutfi Haziri që pritet ta fitojë besimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së për t’i prirë partisë më të vjetër në Kosovë.

Ndryshe, LDK pësoi fiasko në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke marrë jo më shumë se 103 mijë vota dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë.

RAPORTO