Haradinaj: Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin, boll ma!

26.09.2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të bëjë zgjidhje për grevën në arsim, në të kundërtën të jep dorëheqje. Haradinaj ka theksuar se kryeministri Kurti që ka hapur debat me sindikitat, është një tallje me popullin. Ai ka thënë se nuk ka […]

Haradinaj: Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin, boll ma! Foto: Ilustrim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të bëjë zgjidhje për grevën në arsim, në të kundërtën të jep dorëheqje.

Haradinaj ka theksuar se kryeministri Kurti që ka hapur debat me sindikitat, është një tallje me popullin.

Ai ka thënë se nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura njē muaj.

“Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin Kurti! Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura njē muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë!”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër.

“Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij. Sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij e me dreqin e me të birin, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër!”, shtoi ai.

Gjithashtu, i pari i AAK-së i ka thënë Kurtit se a e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneqësinë tënde.

“Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t’i lësh në rrugë 300 e sa mijë fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneqësinë tënde!”.

“Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi! Boll ma!”.