Hapet Konferenca Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025, në fokus ndikimi i inteligjencës artificiale
Nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka nisur sesioni i tretë i Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025, e cila këtë vit ka në qendër temën: “Capacity in Public Administration for or through AI?”.
Kjo ngjarje synon të trajtojë ndikimin dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale në fushën e administratës publike, duke hapur diskutime mbi mënyrat se si teknologjia mund të shndërrohet në partnere të reformatimit të shërbimeve publike.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në hapje të konferencës theksoi se Kosova po punon për një administratë moderne dhe në ngritje të vazhdueshme të kapaciteteve profesionale.
“Administrata është themeli i funksionimit të një shteti. Ne si qeveri kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar një administratë profesionale dhe transparente. Kemi miratuar strategji të qarta dhe kemi vizion për një administratë moderne, ku reformat vendosen në shërbim të qytetarëve, duke ofruar shërbime cilësore dhe duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Do të shohim se si teknologjia mund të bëhet partnere. Kosova është e gatshme të mësojë nga praktikat ndërkombëtare, të shkëmbejë njohuri dhe të forcojë kapacitetet, në mënyrë që administrata jonë të mbetet në nivelin më të lartë,” u shpreh Sveçla.
Në kuadër të kësaj konference dyditore do të organizohen 14 panele, dy sesione kryesore dhe një tryezë e rrumbullakët, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të nivelit të lartë shtetëror, trupit diplomatik, akademikëve, zyrtarëve publikë, shoqërisë civile dhe ekspertëve nga rajoni e më gjerë.
KosovaPAR2025 ka për synim të krijojë dhe të forcojë një rrjet bashkëpunues ndërkombëtar që adreson sfidat moderne të administratës publike. Përmes ndarjes së përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet vendeve të ndryshme, konferenca pritet të kontribuojë në zhvillimin e reformave efektive dhe inovative në administratën publike të Kosovës dhe më gjerë.