Hapet aplikimi për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme për vitin 2025-2026

13.10.2025

Ministria e Financave ka njoftuar se nga sot është hapur aplikimi për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2025–2026.

Qytetarët mund të aplikojnë përmes platformës eKosova, në seksionin Shërbimet – Grante dhe Subvencione, përmes linkut zyrtar: https://ekosova.rks-gov.net/562.

Sipas njoftimit, familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025. Megjithatë, në rast se ka pasur ndryshime si numri i anëtarëve të familjes, vendbanimi apo njehësori elektrik, këto të dhëna mund të përditësohen lehtësisht në formularin ekzistues duke klikuar “Apliko” pas përditësimit.

Ky program ka për qëllim të mbështesë familjet më të cenueshme gjatë stinës së dimrit, në mënyrë që të lehtësojë përballjen me shpenzimet e energjisë elektrike.

Kriteret kryesore për përfitim janë:

  • Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
  • Të kenë të ardhura deri në 150 euro për anëtar;
  • Të kenë pasuri të paluajtshme deri në 100,000 euro.

Subvencioni do të llogaritet sipas një formule të bazuar në të ardhurat mesatare të familjes dhe faturën mujore të energjisë elektrike.

Aplikimi do të jetë i hapur për gjashtë muaj, por Ministria fton të gjithë aplikuesit e rinj dhe ata që kanë ndryshime në të dhënat e tyre që të aplikojnë brenda muajit tetor, pasi pagesat retroaktive nuk do të realizohen.