Gjykata komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për tregun e lirë të energjisë – bizneset marrin frymë lirshëm
Në një zhvillim të rëndësishëm për komunitetin e bizneseve në Kosovë, Gjykata Komerciale ka marrë vendim për pezullimin e plotë të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i cili kërkonte që bizneset të kalonin në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Foto: Ilustrim
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka konfirmuar vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si një fitore të madhe për sektorin prodhues dhe rendin juridik në vend.
“Lajm i rëndësishëm! E mira e këtij aktvendimi është se Gjykata ka pezulluar tërësisht vendimin/njoftimin për daljen në treg të lirë, dhe jo vetëm për ndonjë nen specifik,” ka shkruar Ajvazi.
Sipas tij, ky vendim i Gjykatës Komerciale nënkupton se vendimi i ZRrE-së është vlerësuar si i jashtëligjshëm në tërësi – një hap i madh përpara drejt mbrojtjes së interesave të bizneseve kosovare.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për ekipin ligjor që ka ndihmuar në arritjen e këtij rezultati, duke theksuar se “Drejtësia po funksionon. Vazhdojmë deri në fund!”.
Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të madh në debatin publik dhe institucional lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë dhe kushtet në të cilat bizneset operojnë në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.
ZRrE ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me këtë vendim të gjykatës.