Gjermania ka një lajm të mirë për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës
Sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani, ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe […]
Sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani, ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.
Cilat patenta do të njihen pa provime?
“Me qëllim të informimit korrekt dhe në kohë, dëshirojmë t`ju vëjmë në dijeni se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Republikës Federal të Gjermanisë i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) me datë 29 dhjetor 2021 të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e patent shoferëve, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Moldavisë.
Për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patent shoferëve pa provime shtesë në këto kategori: AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Kjo projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet në seancat e radhës në Bundesrat dhe sapo të konkretizohet data e shqyrtimit do t`ju informojmë në kohë përmes kanaleve tona të komunikimit” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime digjitale dhe Transporte, i thanë DW burime nga Këshilli Federal. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.