Gjenden mbetje mortore, dyshohet se i përkasin viktimave të luftës
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.
Sipas njoftimit, ky veprim është rezultat i informacioneve të pranuara nga qytetarët dhe është realizuar në bashkëpunim me Sektorin e Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Procesi është mbështetur edhe nga ekspertë të EULEX-it.
Me urdhër të prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme shkencore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së. Ky hap konsiderohet thelbësor për të përcaktuar identitetin e viktimave dhe për të ndihmuar familjet që prej më shumë se dy dekadash presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka ritheksuar përkushtimin e tij për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe ka nënvizuar se procesi do të vazhdojë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Në fund, Komisioni ka bërë thirrje për bashkëpunim të qytetarëve, duke kërkuar që çdo informacion i mundshëm lidhur me vendndodhjen e varrezave të mundshme apo personave të zhdukur të ndahet me autoritetet kompetente.
“Çdo informacion, sado i vogël që duket, mund të ndihmojë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Për çdo zhvillim të ri, publiku do të njoftohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse”, thuhet në njoftimin e Komisionit.