Gërvalla: Një luftë tjetër në Ballkan do të ishte e mirëpritur nga Rusia

30.05.2024

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka theksuar se Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijojë një luftë të re që Perëndimi të shpërndahet nëse mbizotëron në luftën e saj me Ukrainën.

Gërvalla: Një luftë tjetër në Ballkan do të ishte e mirëpritur nga Rusia Foto: Ilustrim

Kryediplomatja e Kosovës për “NatSec Daily” ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të presidentit rus Vladimir Putin nuk ndalen në kufirin ukrainas – dhe se fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet në Ballkanin e trazuar prej vitesh.

“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Kosova në veçanti është një objektiv joshës për Putinin, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.

“Putini flet çdo javë për Kosovën…Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është një histori suksesi e Perëndimit, një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një histori suksesi e NATO-s, një histori suksesi e vendeve perëndimore evropiane”, ka theksuar Gërvalla-Schwarz, për “NatSec Daily”.

Paralajmërimi i Gërvalla-Schwarz vjen pasi kombet e tjera evropiane në afërsi të Rusisë kanë shprehur publikisht shqetësimet e tyre për agresionin në rritje të Putinit ndaj fqinjëve të saj. Javën e kaluar, Suedia tha se Putini po shikonte ishullin e rëndësishëm strategjik baltik të Gotlandit.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo paralajmëroi se Rusia tashmë po sulmon fqinjët e saj duke përdorur taktika hibride. Dhe Bashkimi Evropian dënoi gjithashtu Rusinë për heqjen e bovave që përcaktojnë kufirin e saj lumor me Estoninë.