Gastronomët paralajmërojnë ngritjen e çmimit të shërbimeve

21.03.2022

Nga OHT-ja dhe ShGK-ja po kërkojnë që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) të jetë 8 për qind (%), kjo në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen. Kosova ditëve të fundit është përballur me rritje të çmimeve. Së fundi gastronomia dhe hoteleria pritet t’i rrisin çmimet, nëse nuk do të kenë […]

Gastronomët paralajmërojnë ngritjen e çmimit të shërbimeve Foto: Ilustrim

Nga OHT-ja dhe ShGK-ja po kërkojnë që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) të jetë 8 për qind (%), kjo në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen.

Kosova ditëve të fundit është përballur me rritje të çmimeve. Së fundi gastronomia dhe hoteleria pritet t’i rrisin çmimet, nëse nuk do të kenë mbështetje të institucioneve. 

Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, thotë për Radio Kosovën se ka shtrenjtim të produkteve të ndryshme dhe për këtë edhe hoteleria është e detyruar t’i ngritë çmimet për shërbimet e ofruara nga ky sektor.

“E para është që Qeveria e Kosovës duhet ta ulë TVSH-në, ta kthejë në gjendje 8 për qind, e dyta le ta heqë akcizën e naftës, sepse gjithçka është e lidhur me këtë. Qeveria duhet të gjejë modele se si veprojnë shtetet e tjera që të mos vije deri te rritja e çmimeve drastike në hoteleri e gastronomi. Shërbimet nuk mund të punojnë më me ato që kanë qenë më herët para një muaji, sepse edhe gjatë COVID-it kategoritë tona kanë qenë më të atakuar dhe më të dëmtuarat”, tha ai.

Për qytetarët rritja edhe më tutje e çmimeve në gastronomi, do të jetë e papërballueshme. Edhe sot çmimet janë të larta, në krahasim me nivelin e pagave, thonë disa nga ta.

“Nuk i arsyetoj këto rritje, është e palogjikshme, rrogat i kemi shumë të vogla, unë punoj në punën e shtetit dhe rrogën e kam shumë të vogël. Çmimet janë shumë të larta edhe tash, edhe përderisa nuk i rrisin rrogat, as çmimet nuk duhet të ngritën. Është  shumë e padrejtë. Çmimet janë shumë të larta, dhe nuk e di si do t’ia dalim nëse vazhdojnë të ngritën çmimet si deri tash”.