Festat e tepërta dhe në ditë pune dëmtojnë vendin në aspektin financiar

11.04.2023

Dje dhe sot, punëtorët e sektorit publik janë në pushim. Kjo pasi po përfitojnë nga dy data të festave zyrtare të cilat ranë në vikend, mirëpo sipas Ligjit të festave zyrtare, për to pushohet në një ditë pune, kësaj radhe dje (e hënë) dhe sot (e martë). Kësisoj, dje, punëtorët e sektorit publik pushuan për […]

Festat e tepërta dhe në ditë pune dëmtojnë vendin në aspektin financiar Foto: Ilustrim

Dje dhe sot, punëtorët e sektorit publik janë në pushim. Kjo pasi po përfitojnë nga dy data të festave zyrtare të cilat ranë në vikend, mirëpo sipas Ligjit të festave zyrtare, për to pushohet në një ditë pune, kësaj radhe dje (e hënë) dhe sot (e martë).

Kësisoj, dje, punëtorët e sektorit publik pushuan për shkak se të shtunën ishte Dita e Kushtetutës, ndërsa sot të njëjtit nuk dalin në punë pasi që të dielën ishin Pashkët Katolike.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Zana Beqiri përmes një lidhje telefonike, tha se sipas tyre këto festa po konsiderohen të shumta dhe po ndikojnë në zhvillimin e bizneseve si dhe në ngarkesën e stafit.

Ajo theksoi se i kanë adresuar kërkesa Qeverisë së Kosovës për rishikimin e Ligjit për festat zyrtare, mirëpo akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Ajo shton se shtyrja e ditëve të punës, po ndikon edhe tek produktiviteti i bizneseve dhe në ngarkesën e punëtorëve.

Gjithashtu ajo kërkon që të festohen, por të mos jenë ditë pushimi ditët si: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji – Dita e Evropës, ndërsa që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

E qytetari, njëkohësisht pronar biznesi, Ismail Jakupaj, Ligjin për festat nuk e arsyeton fare.

Sipas tij, ky ligj është kopjuar nga shtete të tjera, ndërkaq qeveria edhe pse pretendon të bëjë ndryshime në të, akoma nuk ka rezultat.

Ismet Zhuja, thotë se nga këto festa më së shumti po përfitojnë zyrtarët dhe po e pësojnë bizneset. Ai tregon për një shokun të tij, pronar të një biznesi, që në këto ditë ai duhet t’i lirojë punëtorët dhe se i njëjti ka humbje të mëdha financiare.

I pakënaqur me numrin e madh të festave u shpreh edhe qytetari, Hajdar Hyseni.

“Për ‘Genius’ jemi ne Kosova sa festat i kemi. Jam i sigurt që më shumë kemi festa sesa ditë të punës, pa i futur këtu të shtunën dhe të dielën”, theksoi ai.

Në Kalendarin e festave zyrtare, të publikuar nga Ministria e Administratës Publike figurojnë 11 festa zyrtare me gjithsej 12 ditë pushimi.

Kujtojmë që festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë Viti i Ri, Krishtlindjet ortodokse, Dita e Pavarësisë, Dita e Kushtetutës, Pashkët katolike, Pashkët ortodokse, Dita ndërkombëtare e punës, dita e parë e Bajramit të Madh, Dita e Evropës, dita e parë e Bajramit të Vogël dhe Krishtlindjet. /Kp/