Eksluzive: Rinumërim në 9 vendvotime në Suharekë

13.01.2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që në komunën e Suharekës të realizohet rinumërimi i votave në gjithsej 9 vendvotime. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të parregullsive të evidentuara gjatë procesit të numërimit fillestar.

Sipas KQZ-së, rinumërimi ka për qëllim garantimin e transparencës, saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të trajtohet në përputhje me ligjin.

Procesi i rinumërimit do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas përfundimit të këtij procesi.

Përveç Suharekës, ku është vendosur rinumërimi në 9 vendvotime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur rinumërim edhe në shumë komuna të tjera të Kosovës, në kuadër të procesit të verifikimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, rinumërimi do të përfshijë gjithsej 914 vendvotime nga 2,557 sa janë në total. Në shumicën e komunave do të rinumërohen rreth 10% e vendvotimeve, ndërsa në disa komuna rinumërimi do të jetë i plotë (100%).

Rinumërim 100% të vendvotimeve do të ketë në:Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Dragash, Kaçanik, Skenderaj, Shtime, Leposaviq, Ranillugu dhe Mamusha.

Ndër komunat me rinumërim 10% të vendvotimeve përfshihen:Prishtina (26), Peja (14), Gjakova (15), Gjilani (13), Podujeva (11), Mitrovica e Jugut (10), Lipjani (9), Rahoveci (8), Malisheva (8), Istogu (6), Klina (6), Fushë Kosova (6), Vitia (6), Obiliqi (3), Graçanica (3), Novobërda (2), Shtërpca (2), Zubin Potoku (2), Mitrovica e Veriut (2), si dhe komuna më të vogla si Juniku, Hani i Elezit, Parteshi, Kllokoti dhe Zveçani me nga 1 vendvotim.

Nga KQZ është bërë e ditur se ky proces synon rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së rezultateve përfundimtare, të cilat do të publikohen pas përfundimit të plotë të rinumërimit.