Ekonomistët paralajmërojnë rënie të çmimeve të produkteve në Kosovë

19.05.2023

Edhe gjatë muajit maj është vërejtur një ngritje e çmimeve të disa produkteve në Kosovë. Megjithëse, pati edhe produkte ushqimore që këtë muaj u kushtuan qytetarëve më pak. Këta të fundit thonë se po u duhet të kursejnë më shumë në mënyrë që të mund të përballojnë blerjen e ushqimeve të nevojshme. Ekonomistët, ndërkaq paralajmërojnë […]

Ekonomistët paralajmërojnë rënie të çmimeve të produkteve në Kosovë

Edhe gjatë muajit maj është vërejtur një ngritje e çmimeve të disa produkteve në Kosovë. Megjithëse, pati edhe produkte ushqimore që këtë muaj u kushtuan qytetarëve më pak.

Këta të fundit thonë se po u duhet të kursejnë më shumë në mënyrë që të mund të përballojnë blerjen e ushqimeve të nevojshme.

Ekonomistët, ndërkaq paralajmërojnë zbritje të çmimeve për muajt e ardhshëm, derisa Ministria e Industrisë ka fajësuar opozitën se me dërgimin e Ligjit për çmimet tavan në Kushtetuese ua pamundësoj qytetarëve lirimin e shportës mujore.

Çmimet e larta të produkteve ushqimore po ua varfërojnë shportat ditore qytetarëve.

“Të gjitha po janë të shtrenjta, s’ka më të lira, unë pensionin e kam 200 euro, para dy viteve 200 euro kanë qenë të mëdha, tani çka janë?”, thotë një qytetar për RTK-në.

“Shumë artikuj janë zbritur por këtu nuk kanë zbritur fare, prapë kanë mbetur të njëjtat. Po duhemi me kursy shumë sepse nuk po e kemi çare”, thotë një tjetër.

Në krahasim me muajt e kaluar, çmimet e disa produkteve ushqimore gjatë majit, kanë shënuar ngritje. Por, një pjesë e produkteve ushqimore këtë muaj kushtuan më pak.

Kështu, 1 kilogram miell gruri kushtoi mesatarisht 84 centë në prill e rreth 89 centë në maj.

Një bukë e bardhë ka kushtuar rreth 51 centë ndërsa tani kushton 50 centë. 1 kilogram oriz në prill ishte 1 euro e 61 centë, e në maj 89 centë.

Çmimi i një litri qumësht sillet rreth 1 euro e 25 centë, ndërsa 1 litër jogurt kushtoi 1 euro e 16 centë në prill, 1 euro e 19 centë në maj.

LEXO EDHE:  Paradoks në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë: ndërtimet rriten, shitjet bien, çmimet fluturojnë

30 vezë kushtuan 3 euro e 90 centë në prill e 2 euro e 99 centë në maj, ndërsa 1 litër vaj kushtoi 1 euro e 88 centë në prill, ndërsa rreth 1 euro e 69 centë në maj.

Nga Ministria e Industrisë thonë se dërgimi i Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Kushtetuese po ua pamundëson qytetarëve që shportën ta kenë më të lirë.

”Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka hartuar ligjin për masat e përkohshme të

produkteve themelore në rastet e veçanta të destabilizimit të tregut, i cili do të mundësonte

rregullimin e marzhave tregtare dhe marrjen e masave të tjera mbrojtëse për konsumatorin, për furnizimin me produkte themelore, në harmoni me obligimet nga MSA-ja” shkruan në përgjigjen me shkrim të MTI-së.

“Ky ligj ka kaluar në Parlamentin e Republikës së Kosovës, por është bllokuar si pasojë e dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.

Mirëpo njohës të ekonomisë kanë paralajmëruar rënie të çmimeve gjatë muajve të ardhshëm.

“Në bazë të parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe mekanizmave që merren me hulumtime dhe zhvillim ekonomik edhe në vendin tonë sikur në rajon do të ketë ulje të çmimeve”, thotë Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet gjatë prillit kishin shënuar rritje për rreth 0.3% krahasuar me marsin.