Dogana konfiskon 80 mijë copë cigare të kontrabanduara

11.08.2025

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë konfiskuar 80 mijë copë cigare pa banderola gjatë një aksioni në qytetin e Mitrovicës.

Sipas njoftimit, në orët e vona të mbrëmjes janë ndaluar për kontroll dy autobusë që qarkullonin në linjën Serbi–Kosovë. Gjatë kontrollit fillestar, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve është gjetur një sasi e konsiderueshme cigareje pa banderola.

Kontrollet e mëtejshme zbuluan cigare të tjera të kontrabanduara në një hapësirë të posaçme (“bunker”) për fshehje mallrash, si dhe në tualetin e autobusit.

Të gjitha 80 mijë copët e cigareve, të dyshuara për tregun e brendshëm të Kosovës, janë konfiskuar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.