Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, KOMF: Gjendja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë alarmante, kërkohen reforma urgjente
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka lëshuar një deklaratë shqetësuese lidhur me gjendjen e të drejtave të fëmijëve në vend, duke kërkuar reforma të menjëhershme në të gjithë sektorët që ndikojnë në jetën e tyre.
“Fëmijët përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, por përballen me një sistem të brishtë të mbrojtjes sociale. Shërbimet sociale dhe skemat e ndihmës vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme dhe diskriminuese, veçanërisht për fëmijët 16-18 vjeç që përjashtohen nga përfitimet. Financimi i pamjaftueshëm rrezikon ndërprerjen e shërbimeve për fëmijë,” thekson KOMF në letrën e tyre.
“Fëmijët përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, por përballen me një sistem të brishtë të mbrojtjes sociale. Shërbimet sociale dhe skemat e ndihmës vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme dhe diskriminuese, veçanërisht për fëmijët 16-18 vjeç që përjashtohen nga përfitimet. Financimi i pamjaftueshëm rrezikon ndërprerjen e shërbimeve për fëmijë,” thekson KOMF në letrën e tyre.
Organizata vë në pah statistika alarmante: 72% e fëmijëve përjetojnë dhunë në familje, 600 janë pa kujdes prindëror dhe 5% janë të përfshirë në punë të rënda. Pavarësisht miratimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës në vitin 2020, zbatimi i tij mbetet i mangët.
Në fushën e arsimit, vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç ndjekin edukimin parashkollor. Arsimi në përgjithësi përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë rezultate të ulëta në Testin e Arritshmërisë, përfshirje të vogël të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe qasje të kufizuar në shkolla për këtë kategori.
Situata nuk është më e mirë as në shëndetësi, ku mungesa e sigurimeve dhe shërbimeve për shëndetin mendor është evidente. Vetëm 7 psikiatër për fëmijë shërbejnë në të gjithë vendin. Përdorimi i drogës nga të miturit është në rritje, ndërkohë që mungojnë programet parandaluese dhe rehabilituese. Një tjetër shqetësim është rritja e delikuencës së të miturve, me mbi 3,000 raste të reja të regjistruara vetëm gjatë vitit 2024.
Për të adresuar këtë gjendje kritike, KOMF ka formuluar një sërë kërkesash urgjente:
- Reformë të skemave sociale dhe eliminim të kritereve diskriminuese.
- Miratim dhe zbatim efektiv të ligjeve dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
- Themelim të shërbimeve parandaluese dhe rehabilituese për përdorimin e drogës nga të miturit.
- Investime të shtuara në edukimin parashkollor dhe përmirësim të cilësisë në arsimin e përgjithshëm.
- Shtim të stafit mbështetës në shkolla dhe forcim të shërbimeve për shëndetin mendor të fëmijëve.
- Ndërtimin e qendrave të specializuara për fëmijët në konflikt me ligjin.
KOMF përmes kësaj deklarate synon të ndërgjegjësojë institucionet dhe publikun e gjerë për nevojën e veprimit të shpejtë për të siguruar një mjedis më të sigurt dhe më të favorshëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve në Kosovë.