Dialogu Kosovë-Serbi, Stano: BE-ja bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje

23.02.2024

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano ka deklaruar se roli i BE-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është të komentojë, por të ndihmojë palët të gjejnë një zgjidhje.

Dialogu Kosovë-Serbi, Stano: BE-ja bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje Foto: Ilustrim

Ai theksoi se është e nevojshme të kthehen në praktikën e zakonshme që diskutimet logjistike për caktimin e një takimi pune të mos bëhen përmes mediave dhe në një hapësirë ​​publike siç është konferenca për shtyp.

“Duhet t’i kthehemi praktikës së deritanishme që të mos flasim në publik dhe konferenca për shtyp për logjistikën e përgatitjeve të takimeve në nivel të grupeve punuese. I kemi dërguar letrën për palët dhe sqaruam në detaje se si presim të merren me çështje të caktuara. Ne shpresojmë që të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për një çështje që ishte krijuar me një vendim pa afat dhe pa konsultime të njërës palë, që pati ndikim te pala tjetër”, tha Stano.

Ai po ashtu u shpreh se roli i BE-së është lehtësues i dialogut.

“Ne nuk jemi komentues, por lehtësues dhe bëjmë përpjekje t’iu ndihmojmë palëve që të gjejnë zgjidhje”, tha ai.

Në pyetjen se çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën nëse nuk merr pjesë në takim në Bruksel, të cilin e ka thirrur i dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Stano tha se: “Nuk mund të spekulojmë se çfarë do të ndodhë, nëse do të ndodhë. Ftesat për palët janë dërguar dhe BE-ja vetëm bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje”.