Deri në 30 minuta pritje për të hyrë në Kosovë

01.08.2025

Pas një dite me ngarkesë të madhe në disa pika kufitare, mëngjesi i sotëm ka nisur me situatë të qetë dhe pritje minimale për kalimin e kufirit në pjesën më të madhe të vendkalimeve.

Të dhënat e përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në orën 08:12 tregojnë se në shumicën e pikave kufitare, pritjet për hyrje dhe dalje janë nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të theksuara.

Pika kufitare më e ngarkuar mbetet Dheu i Bardhë, ku pritja për hyrje dhe dalje arrin deri në 30 minuta, me kolona që shtrihen deri në 100 metra në të dy drejtimet.

Në Jarinje, pritjet për dalje janë më të gjata, duke shkuar nga 20 deri në 30 minuta, ndërsa hyrja zgjat rreth 5 deri në 10 minuta, me një kolonë prej 300 metrash në dalje. Edhe Merdarë raporton pritje deri në 30 minuta në dalje dhe 200 metra kolonë, ndërsa hyrja është më e lehtë, rreth 5-10 minuta.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjak, Glloboçicë, Hani i Elezit, Kullë, Muçibabë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmicë, pritjet janë 3-5 minuta dhe nuk raportohen kolona.

Ky përmirësim i situatës në mëngjes vjen pas fluksit të madh të një nate më parë, kur shumë bashkatdhetarë udhëtuan drejt Kosovës për pushimet verore.

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për durim dhe planifikim të udhëtimeve, duke rekomanduar shmangien e orëve të pikut dhe përdorimin e pikave alternative për të shmangur vonesat.

Të dhënat janë marrë nga faqja zyrtare e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe janë të përditësuara për datën 1 gusht 2025, ora 08:12.