Deputeti i VV-së: Të hënën do të kemi qeveri

31.01.2020

Tashmë edhe zyrtarisht të hënën do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të propozuar nga Albin Kurti. Ky vendim u mor sot në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ndërsa Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, është shprehur i bindur se të hënën do të votohet dhe do të ketë […]

Deputeti i VV-së: Të hënën do të kemi qeveri Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Tashmë edhe zyrtarisht të hënën do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të propozuar nga Albin Kurti.

Ky vendim u mor sot në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, është shprehur i bindur se të hënën do të votohet dhe do të ketë qeveri të Kosovës.

Abrashi kështu deklaroi në diskutimin publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të”, të organizuar nga KDI.

Po ashtu ai tha se beson që deri të hënën, më 3 shkurt 2020 kur edhe do të mbahet senaca për votimin e Qeverisë do të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Besoj qe do të ketë marrëveshje, në fillim kemi menduar se kjo është çështje e kryer. Gjate rrugës dolën disa komplikime. E dimë që kjo çështje u stërzgjat shumë, mirëpo më mirë le të zgjatet dhe të bëhet mirë. Le të jetë një marrëveshje që shter deri në detajin e fundit, që në momentin kur të fillon punën qeveria të mos dalin probleme të tjera”, tha ai.

I pyetur se a do të ketë një kryeministër të hënën ai tha se po.