Deputeti gjerman Peter Beyer në Bundestag: Të çmontohen strukturat paralele në veri të Kosovës

29.06.2025

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shpërndarë një fjalim të mbajtur së fundmi në Bundestagun gjerman nga deputeti Peter Beyer, ku u theksua rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja e palëkundur për Kosovën.

Në adresimin e tij para ligjvënësve gjermanë, Beyer kujtoi vizitën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rajon gjatë muajit mars, duke nënvizuar se angazhimi i Aleancës në Ballkan mbetet thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua zhvillimeve në veri të Kosovës. Deputeti gjerman bëri thirrje të qartë për çmontimin e strukturave paralele, të cilat, sipas tij, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë në vend.

“Lufta kundër strukturave kriminale, bandave dhe grupeve të dhunshme duhet të vazhdojë. Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura për sigurinë dhe stabilitetin,” citohet të ketë thënë Beyer.

Ambasadori Ajeti ka shprehur mirënjohjen e tij për qëndrimin e qartë të deputetit Beyer dhe për përkrahjen e vazhdueshme që ai i jep sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës në Bundestag.