Dënohet me burgim efektiv personi që kanosi ministrin Peci në Facebook
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor Blerim Avdiun, i cili akuzohej nga Prokuroria për kanosjen e ministrit në detyrë Faton Peci përmes rrjetit social Facebook.
Foto: Ilustrim
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, më 28 maj 2025, Blerim Avdiu është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për veprën penale “Kanosja”. Dënimin, i akuzuari do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi.
Blerim Avdiu akuzohej se më 2 mars 2025, përmes Facebook-ut, me dashje, e kishte “kanosur seriozisht” ministrin Peci, duke i dërguar mesazhe me fjalë fyese dhe kërcënuese, raporton Kallxo.com.
Gjyqtarja Valbonë Fejza shpalli aktgjykimin, ku në dënimin me burgim të Avdiut llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 marsi deri më 26 maj 2025, si dhe masa e arrestit shtëpiak nga 26 marsi deri më 13 prill 2025.
I dënuari gjithashtu obligohet të paguajë 20 euro në emër të shpenzimeve të procedurës dhe 20 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte i pranishëm asnjë nga palët. Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontekst të rregullt juridiko-civil. Palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 26 maj 2025, i pandehuri Avdiu e kishte pranuar fajësinë dhe i kishte kërkuar falje ministrit Peci.